Rasti i Bleona Matës, vajzës së zhdukur në vitin 2010, është rikthyer sërish në vëmendje pas deklaratave të avokatit Alban Duraj, i cili ka treguar informacione të reja që thotë se i janë përcjellë nga nëna e saj, Bukurie Mata.
I ftuar në emisionin “Breaking me Fiori Dardha”, Duraj tregoi se kishte komunikuar me Bukurie Matën në fund të qershorit ose në fillim të korrikut. Sipas tij, ajo i kishte thënë se ishte angazhuar një agjenci e specializuar për investigimin e rasteve të personave të zhdukur.
“Ajo ka thënë se Bleona është në një nga vendet e Bashkimit Europian. Pra, kanë arritur që ta identifikojnë se ku ndodhet”, deklaroi Duraj.
Por detaji që tërhoqi më shumë vëmendjen lidhet me jetën që Bleona dyshohet se bën aktualisht. Sipas informacionit që avokati thotë se ka marrë nga nëna e saj, ajo tashmë është studente dhe dyshohet se është birësuar nga një çift grek.
“Është studente, madje e shkëlqyer, ekselente dhe është e birësuar nga një çift grek. Kaq më tha për momentin”, u shpreh avokati.
Duraj nuk dha të dhëna për shtetin e Bashkimit Evropian ku pretendohet se ndodhet Bleona, familjen me të cilën jeton apo provat mbi të cilat është bërë identifikimi. Për këtë arsye, informacionet e bëra publike deri tani mbeten pretendime të përcjella nga nëna e Bleonës dhe jo një identifikim i konfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë, sipas avokatit, Bukurie Mata kërkon jo vetëm gjetjen e vajzës, por edhe zbardhjen e plotë të rrethanave të zhdukjes së saj. Ai tha se synohet që çështja t’i adresohet edhe SPAK-ut, me kërkesën për hetime të mëtejshme dhe përcaktimin e përgjegjësive të mundshme.
Bleona Mata u zhduk në maj të vitit 2010 në zonën e Zapodit të Kukësit, kur ishte 6 vjeçe. Pavarësisht kërkimeve dhe hetimeve të zhvilluara ndër vite, rrethanat e zhdukjes së saj nuk janë zbardhur përfundimisht.
Deklaratat e fundit sjellin një pistë të re publike për fatin e Bleonës, por mbetet për t’u parë nëse informacionet për vendndodhjen dhe identitetin e saj do të konfirmohen nga autoritetet.
