Burri i merr jetën nënës së 5 fëmijëve, e ngatërroi me një dre (Detajet e plota)

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara, ku një grua 39-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve, humbi jetën pasi u qëllua nga një gjuetar që dyshohet se e ngatërroi me një dre.

Viktima është identifikuar si Santos Maria Chilel Soto, banuese në Georgetown dhe me origjinë nga Guatemala. Në momentin e ngjarjes ajo po ecte në një fushë të hapur në zonën e Ellendale, e shoqëruar nga një burrë dhe dy fëmijë.

Sipas Policisë Shtetërore të Delaware, rreth orës 19:40, Walter Moorehead, 74 vjeç, nga Salisbury në Maryland, ndodhej në zonë për gjueti. Ai po qëndronte në një strukturë të ulët dhe të kamufluar, që përdoret nga gjuetarët për të mos u dalluar nga kafshët.

Nga hetimet paraprake dyshohet se 74-vjeçari mendoi se kishte dalluar një dre dhe qëlloi me pushkë. Plumbi goditi Soton, e cila ndodhej në fushë së bashku me personat e tjerë.

Policia mbërriti në vendngjarje dhe i dha 39-vjeçares ndihmën e parë. Ajo u transportua më pas në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Moorehead u gjet në vendngjarje dhe, sipas autoriteteve, u përcaktua si personi që kishte qëlluar. Ai u arrestua, ndërsa hetimi i kaloi Njësisë së Vrasjeve të Policisë Shtetërore të Delaware.

74-vjeçari përballet me akuzën e vrasjes nga pakujdesia, posedimit të një arme zjarri gjatë kryerjes së një krimi, si dhe me tre akuza për rrezikim të shkallës së parë. Më pas ai është liruar kundrejt një garancie prej 43 mijë dollarësh.

Santos Maria Chilel Soto ishte nënë e pesë fëmijëve. Pas vdekjes së saj është hapur edhe një fushatë online për mbledhjen e fondeve, të cilat synojnë të mbulojnë shpenzimet e funeralit dhe transportimin e trupit të saj drejt Guatemalës.