Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së ka sjellë reagime të shumta nga figura publike, ndërsa së fundmi qëndrim ka mbajtur edhe ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka.
Xhaka ka përdorur profilin e tij në Instagram për të publikuar një poster ku shfaqen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Mbi të janë vendosur mesazhet “Mos e harroni historinë”, “JO NË EMRIN TIM” dhe “Liria e tyre është nderi ynë”.

Ish-futbollisti nuk është ndalur me kaq. Në një tjetër publikim ai ka ndarë një fotografi të Kadri Veselit, të cilën e ka shoqëruar me mesazhin: “Gjithmonë me ju”.
Reagimi i Xhakës ka marrë vëmendje edhe jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Disa media serbe e kanë raportuar postimin në mënyrë kritike dhe e kanë cilësuar atë si “skandal”, formulim që më pas është pasqyruar edhe nga mediat shqiptare.
Taulant Xhaka, i cili ka origjinë nga Kosova, ka përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Vëllai i tij, Granit Xhaka, përfaqëson Zvicrën, ndërsa dy vëllezërit kanë qenë më herët edhe bashkëlojtarë te Baseli.
Postimet e Xhakës vijnë pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së dhe i janë shtuar reagimeve publike që kanë pasuar vendimin në Hagë.
