I dërguari i Trump shpërthen pas dënimit të Thaçit, kërkon të merret ky vendim i ashpër ndaj Gjykatës Speciale

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për misione të veçanta, ka reaguar ashpër pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.

Reagimi i Grenell erdhi pasi trupi gjykues dënoi në shkallë të parë Thaçin me 25 vite burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite dhe Jakup Krasniqi me 25 vite. Të katërt u shpallën fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Grenell e cilësoi dënimin ndaj Thaçit “skandaloz” dhe vuri në pikëpyetje vetë funksionimin e institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë.

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz”, shkroi Grenell.

Ai pretendoi se gjyqtarët dhe prokuroria kishin marrë një vendim të ndikuar politikisht dhe iu referua edhe dëshmive të ish-zyrtarëve amerikanë të administratës së Bill Clintonit, të cilët dëshmuan gjatë procesit në mbrojtje të Thaçit. Gjatë gjykimit u dëgjuan gjithsej 134 dëshmitarë, shtatë prej të cilëve u thirrën nga mbrojtja.

Grenell e drejtoi kritikën edhe personalisht ndaj gjyqtarit Guénaël Mettraux dhe ish-Prokurorit të Specializuar Jack Smith, duke i akuzuar për qasje politike. Këto janë pretendime të Grenell dhe jo përfundime të konstatuara nga ndonjë institucion gjyqësor.

Në reagimin e tij, Grenell kërkoi që financimi amerikan për gjykata të tilla të ndërpritet dhe u bëri thirrje Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe zyrtarëve të administratës Trump që të veprojnë.

Ai pati gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe deputetët e Kuvendit.

“Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, shkroi Grenell.