Risia që duhet ta dini! Mesazhet me tekst në WhatsApp do të zhduken pasi të lexohen

WhatsApp po punon për një funksion të ri që synon të forcojë edhe më tej privatësinë e përdoruesve. Së shpejti, aplikacioni mund të lejojë dërgimin e mesazheve me tekst që mund të lexohen vetëm një herë, përpara se të fshihen automatikisht.

Aktualisht, opsioni “View Once” është i disponueshëm vetëm për fotografitë, videot dhe mesazhet zanore. Megjithatë, sipas versioneve beta të aplikacionit për Android dhe iPhone, Meta po teston zgjerimin e kësaj veçorie edhe për mesazhet tekstuale.

Pasi të shkruajnë një mesazh, përdoruesit do të kenë mundësinë të zgjedhin opsionin për ta dërguar atë si një mesazh që mund të lexohet vetëm një herë. Sapo marrësi ta hapë dhe ta lexojë, mesazhi do të zhduket automatikisht nga biseda.

Për të garantuar një nivel më të lartë privatësie, këto mesazhe nuk do të mund të kopjohen, përcillen apo ndahen me përdorues të tjerë. Gjithashtu, WhatsApp pritet të kufizojë edhe mundësinë e fotografimit ose regjistrimit të ekranit gjatë shfaqjes së tyre.

Kompania nuk ka bërë ende të ditur se kur funksioni do të jetë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit. Megjithatë, fakti që ai po testohet në versionet beta tregon se lançimi mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.