Moderatorja shqiptare konfirmon lajmin e ëmbël, shtatzënë për herë të parë

Nevina Shtylla ka konfirmuar lajmin e bukur që qarkullonte prej disa ditësh. Moderatorja e njohur shqiptare është shtatzënë dhe po përgatitet të bëhet nënë për herë të parë.

Pas raportimeve të mëparshme për pritjen e ëmbël, këtë herë ka qenë vetë Nevina që ka zgjedhur ta ndajë lajmin me publikun. Në një video të publikuar në Instagram, ajo shfaqet e veshur me një fustan të bardhë elegant, teksa vendos duart mbi barkun e rrumbullakosur.

“Sekreti më i ëmbël që kam mbajtur ndonjëherë”, shkroi moderatorja krahas videos, duke konfirmuar kështu një nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj personale.

Publikimi u shoqërua menjëherë me urime nga miq, kolegë dhe ndjekës, të cilët e përgëzuan Nevinën për kapitullin e ri që po nis.

Moderatorja ka qenë gjithmonë mjaft e rezervuar për jetën e saj sentimentale. Në vitin 2023, ajo konfirmoi se kishte marrë një propozim për martesë nga partneri dhe se përgjigjja e saj kishte qenë “po”, por zgjodhi të mos e bënte publik identitetin e tij dhe të ruante privatësinë e marrëdhënies.

Një vit më vonë, Nevina tregoi se dasma nuk ishte ende mes planeve të afërta të çiftit. Tashmë, ndërsa vazhdon ta mbajë partnerin larg vëmendjes publike, moderatorja ka ndarë vetë lajmin se familja e tyre së shpejti do të zgjerohet me ardhjen e fëmijës së parë.