Noizy ka paralajmëruar një kapitull të ri në karrierën e tij, duke bërë të ditur se do të ndryshojë mënyrën se si do të konceptohen performancat e tij në vazhdim.
Pas një periudhe të gjatë me koncerte dhe performanca në klubet e natës, reperi ka vendosur të sjellë një tjetër format për daljet e tij para publikut. Lajmin e ka ndarë vetë me ndjekësit, të cilët i ka falënderuar për mbështetjen ndër vite.
“Një epokë e re. Një koncept i ri për show-t, një nivel tjetër energjie, produksioni dhe gjithçkaje që vjen bashkë me të”, shkruan Noizy.
Nga mesazhi i tij kuptohet se ndryshimi nuk lidhet me një tërheqje nga muzika apo nga skena, por me mënyrën se si reperi synon t’i realizojë koncertet e ardhshme. Ai premton më shumë vëmendje te produksioni dhe elementet që e shoqërojnë një performancë live.
Noizy nuk ka zbuluar ende detaje konkrete për formatin e ri dhe as se kur publiku do ta shohë për herë të parë në skenë.
Njoftimi, megjithatë, sinjalizon mbylljen e një etape të gjatë të performancave të tij në formën që fansat janë mësuar ta shohin dhe nisjen e një koncepti të ri, detajet e të cilit pritet të zbulohen në vazhdim.
