Këngëtarja bëhet nënë për herë të parë, dalin fotot me bebin

Lady Gaga mund të ketë nisur një kapitull të ri në jetën e saj personale. Këngëtarja 40-vjeçare dhe i fejuari i saj, Michael Polansky, raportohet se janë bërë prindër për herë të parë.

Lajmi është publikuar fillimisht nga “Page Six”, e cila ka siguruar edhe fotografi ku Gaga dhe Polansky shfaqen gjatë një shëtitjeje në Kaliforninë Veriore, të shoqëruar nga një foshnjë.

Dëshira për t’u bërë nënë nuk është diçka e re për artisten. Gaga ka folur disa herë publikisht për krijimin e një familjeje. Në vitin 2019, teksa tregonte planet për vitet e ardhshme, ajo deklaronte: “Dua të bëj më shumë filma, dua të kem fëmijë”.

Një vit më vonë, në një intervistë për “InStyle”, këngëtarja shprehej po aq hapur: “Jam shumë e emocionuar për të pasur fëmijë. Mezi pres të bëhem nënë”. Edhe në tetor të vitit 2025, gjatë një interviste në “The Late Show with Stephen Colbert”, ajo e cilësoi mëmësinë si rolin që shpresonte të merrte më pas në jetë.

Lady Gaga dhe Michael Polansky janë së bashku që prej vitit 2020, ndërsa fejesa e tyre u bë publike në vitin 2024. Dyshja ka zgjedhur përgjithësisht ta mbajë jetën private larg vëmendjes së tepërt mediatike.