Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Prizren, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me thikë.
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka arrestuar një 17-vjeçar, i cili dyshohet për vrasjen e të miturit. Sipas njoftimit të autoriteteve, i dyshuari është identifikuar dhe është kapur jo shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja.
Gjatë kontrollit të 17-vjeçarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i mituri i dyshuar është ndaluar për 24 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin që çoi në përfundimin fatal të konfliktit.
Trupi i pajetë i 14-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet obduksionit.
Për momentin, autoritetet nuk kanë bërë publike identitetet e të miturve dhe as rrethanat që paraprinë konfliktin. Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.
