Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një 25-vjeçare shtatzënë ka humbur jetën pasi dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga bashkëshorti i saj.
Sipas të dhënave të raportuara deri më tani, ngjarja ka ndodhur në dhomën e gjumit të familjes Bytyçi. Egzon Bytyqi, 26 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me një plumb në kokë bashkëshorten e tij, Jetlira Foniqin, e cila ishte në javën e 34-t të shtatzënisë.
Pas ngjarjes, 26-vjeçari dyshohet se ka qëlluar edhe veten në kokë.
Rasti është raportuar menjëherë në polici nga babai i të dyshuarit. Në vendngjarje kanë mbërritur hetuesit, të cilët kanë sekuestruar si provë materiale edhe një armë.
Tre ekipe mjekësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare janë angazhuar për transportimin e të plagosurve drejt Emergjencës së QKUK-së.
Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, Jetlira Foniqi ka ndërruar jetë pas mbërritjes në spital, rreth orës 01:10 të mëngjesit.
Ndërkohë, gjendja e të dyshuarit raportohet të jetë e rëndë. Për shkak të plagës hyrëse dhe dalëse në kokë, ndaj tij nuk është kryer ndërhyrje kirurgjikale dhe ai vijon të mbahet i intubuar në Emergjencë.
Sipas informacioneve të deritanishme, 26-vjeçari kishte jetuar për rreth shtatë vite në Gjermani. Ai dhe Jetlira ishin të martuar prej rreth një viti e gjysmë, ndërsa pas martesës e reja lëvizte mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se kohët e fundit mes çiftit mund të kishte pasur konflikte. Familjarët e viktimës, megjithatë, kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për probleme mes tyre.
Në lidhje me raportimet se i dyshuari mund të kishte pasur probleme të shëndetit mendor, Policia ka bërë të ditur se një pretendim i tillë nuk është vërtetuar deri në këtë fazë të hetimit.
Jetlira Foniqi është përcjellë për në banesën e fundit pasditen e sotme në vendlindjen e saj, në Llozicë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat dhe motivin e ngjarjes.
