Prej disa ditësh, emri i Grida Dumës është rikthyer në qendër të diskutimeve politike, pas aludimeve se ajo mund të bëhet pjesë e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Madje, raportimet kanë shkuar edhe më tej, duke e lidhur ish-deputeten e Partisë Demokratike me një prej posteve më të rëndësishme në kabinet, atë të zëvendëskryeministres.
Pas zërave që kanë qarkulluar, Duma ka vendosur të reagojë për herë të parë, duke hedhur poshtë skenarët që e shohin atë si pjesë të qeverisë.
“Ka ca ditë që më përflitet emri se do të jem pjesë e qeverisë Rama. Më kanë caktuar edhe pozicionin. Flini të qetë. Nuk kam ndërmend t’i marr vendin askujt”, është shprehur ajo.
Reagimi vjen pasi emri i Dumës është përmendur në media në kuadër të ndryshimeve të mundshme në qeveri gjatë shtatorit.
Grida Duma u largua nga mandati i deputetes së Partisë Demokratike në vitin 2022, duke u shkëputur nga politika aktive dhe duke kaluar në televizion.
Për momentin, vetë ajo duket se u ka dhënë një përgjigje të qartë aludimeve për një kalim në krah të Edi Ramës: nuk ka ndërmend t’i marrë vendin askujt në qeveri.
