Konfirmohet largimi i Bora Zemanit nga Top Channel, çfarë u bë shkak?

Pas aludimeve të ditëve të fundit për të ardhmen e saj televizive, Bora Zemani raportohet se nuk do të jetë më pjesë e Top Channel në sezonin e ri.

Sipas “Prive By Liberta Spahiu”, që citon burime të saj, bashkëpunimi mes moderatores dhe televizionit është mbyllur pas një rrugëtimi disavjeçar, gjatë të cilit Zemani ka drejtuar disa prej formateve kryesore argëtuese të Top Channel.

Lajmi vjen në një moment kur në rrjet kanë qarkulluar prej ditësh zëra për një largim të mundshëm të moderatores. Mes aludimeve është përmendur edhe mundësia që asaj t’i jetë propozuar drejtimi i “Ferma VIP Club”, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Bora Zemani apo nga televizioni për një angazhim të tillë.

Rrugëtimi i saj në Top Channel mori një tjetër dimension në vitin 2020, kur iu besua moderimi i “Për’puthen”. Formati u kthye në një prej programeve më të ndjekura të asaj periudhe dhe i dha Zemanit një ekspozim të konsiderueshëm edhe në platformat sociale.

Pas “Për’puthen”, moderatorja kaloi në prime time. Në vitin 2022 mori drejtimin e “Dancing With The Stars”, rol në të cilin vazhdoi edhe sezonin pasues. Më vonë iu besua edhe drejtimi i “Piramida”.

Në vitin 2025, Zemani iu bashkua Elvis Naçit në programin humanitar “Për Shqiptarët”, duke vijuar kështu angazhimin e saj në ekranin e Top Channel.

Megjithatë, sipas raportimit të fundit, ky kapitull tashmë është mbyllur. Për momentin nuk është bërë publike një arsye konkrete që ka çuar në përfundimin e bashkëpunimit, ndaj çdo pretendim se largimi lidhet me mosmarrëveshje apo me një ofertë nga një televizion tjetër mbetet i pakonfirmuar.