Cristiano Ronaldo ka shkaktuar reagime të forta në Portugali pasi mungoi në funeralin e bashkëkombësit të tij dhe yllit të Liverpool, Diogo Jota, si dhe të vëllait të tij, Andre Silva, të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident rrugor.
Kapiteni i Portugalisë dhe lojtari me më shumë ndeshje në historinë e kombëtares, nuk mori pjesë as në ceremoninë mortore të zhvilluar të premten, as në meshën e fundit të mbajtur të shtunën në Igreja Matriz de Gondomar, pranë Portos, ku morën pjesë shumë nga bashkëlojtarët e tij të përfaqësueses.
Mediat spanjolle dhe ato portugeze raportuan se Ronaldo ndodhej me pushime në ishullin e Majorkës, në një jaht luksoz 88 këmbësh me vlerë mbi 5.5 milionë paund, ndërkohë që bashkëlojtarët e tij si Bernardo Silva, Diogo Dalot, Ruben Neves dhe Joao Cancelo ishin të pranishëm në ceremonitë përkujtimore.
Mungesa e Ronaldos u cilësua “e pashpjegueshme” nga gazetari sportiv Luis Cristovao, ndërsa kolegu i tij Pedro Fatela tha se kjo mungesë “do të diskutohet gjatë” dhe se “duhet një shpjegim i qartë në ditët në vijim.”
Gazetari Antonio Ribeiro Cristovao komentoi para nisjes së meshës:
“Ai është kapiteni i kombëtares. Shumë prisnin që të ishte aty. Nëse nuk merr pjesë, duhet të japë një shpjegim. Ka këtë përgjegjësi.”
Në rrjetet sociale, përdorues të shumtë e kritikuan Ronaldon për vendimin që nuk ndërpreu pushimet për të nderuar dy vëllezërit, veçanërisht Diogo Jotën, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte martuar dhe që ishte pjesë e ekipit të Portugalisë që fitoi Nations League muajin e kaluar.
Një përdorues shkroi në “X”:
“Të mos paraqitet në funeral si mik dhe si kapiten është e pajustifikueshme. Nuk mjaftojnë vetëm mesazhet në rrjete sociale.”
Megjithatë, kishte edhe zëra që justifikonin mungesën e Ronaldos, duke sugjeruar se prezenca e tij do të kishte zhvendosur vëmendjen e njerëzve nga ceremonia tek ai vetë, për shkak të statusit që gëzon në publik.
Cristiano ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike për mungesën në varrimin e shokut të tij.