Zbardhet pasuria 2025 e kryeministrit Edi Rama

Janë publikuar të dhënat e deklarimit të pasurisë për vitin 2025 të familjes së kryeministrit Edi Rama, ku pasqyrohen të ardhurat, kursimet, investimet dhe detyrimet financiare të deklaruara nga ai, bashkëshortja Linda Rama dhe djali Gregor Rama.

Sipas dokumentit të publikuar nga Open Data, kryeministri Edi Rama ka deklaruar të ardhura neto prej 34,020.84 eurosh nga paga si kreu i qeverisë. Po ashtu, ai ka raportuar edhe 109,040.91 euro të ardhura të tjera, ndërsa gjendja e likuiditeteve bankare rezulton të jetë shtuar me 3,495.45 euro.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Linda Rama, ka deklaruar blerjen e një pasurie të paluajtshme me vlerë 192,964.77 euro. Në deklarim pasqyrohet gjithashtu një kredi e re bankare në vlerën 50,000 euro, nga e cila gjatë vitit janë shlyer rreth 3,387 euro, ndërsa detyrimi i mbetur rezulton rreth 47,490 euro.

Linda Rama ka deklaruar të ardhura neto prej afërsisht 66,991 eurosh gjatë vitit. Në të njëjtën kohë, ajo ka raportuar një pakësim të gjendjes cash me 100 euro dhe një ulje të llogarisë bankare me rreth 19,649 euro.

Sa i përket një kredie ekzistuese në euro, dokumenti tregon se gjatë vitit janë shlyer 23,223.72 euro, ndërsa detyrimi i mbetur është 173,766.43 euro.

Në deklaratën e pasurisë figuron edhe Gregor Rama. Sipas të dhënave të publikuara, ai ka deklaruar të ardhura neto vjetore prej rreth 10,833 eurosh. Gjendja cash është pakësuar me 2,500 euro, ndërsa në llogaritë bankare rezulton një shtesë prej 8,297.42 eurosh në valutë dhe rreth 108,639 lekësh në monedhën vendase.

Po ashtu, Gregor Rama ka deklaruar edhe një pakësim të fondeve të investimit në vlerën 16,445.32 euro.