Përplasja publike mes deputetit socialist Ardit Bido dhe gazetarit Arjan Çani pritet të zhvendoset tashmë në dyert e drejtësisë.
Ka qenë vetë Bido ai që ka bërë të ditur se i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me një kallëzim penal ndaj moderatorit, pas deklaratave që ky i fundit ka bërë në emisionin e tij televiziv gjatë javëve të fundit.
Në një prononcim për mediat, deputeti socialist u shpreh se Çani ka përdorur hapësirën publike mediatike për të përhapur, sipas tij, mesazhe urrejtjeje ndaj kombit shqiptar.
“Më mirë vonë se kurrë. Arjan Çani do të përballet me drejtësinë shqiptare, gjë që duhej të kishte ndodhur prej vitesh. Tezat e tij antishqiptare nuk do të pranoheshin as në mediat greke”, deklaroi Bido.
Ai shtoi se kallëzimi penal është dorëzuar këtë të martë, ndërsa paralajmëroi se do të ndjekë edhe një rrugë civile kundër gazetarit.
Sipas Bidos, të mërkurën do të depozitohet një padi civile përmes së cilës do të kërkojë 10 milionë lekë të reja, ose 100 milionë lekë të vjetra, si dëmshpërblim për deklaratat e bëra nga Çani.
Deputeti theksoi se shuma e përfituar, në rast se gjykata do t’i japë të drejtë, do të përdoret për banorët e Zvërnecit.
Debati mes dy palëve nisi pas deklaratave të Ardit Bidos lidhur me protestat e fundit, ku ai pretendoi se pas tyre qëndronin edhe interesa të shërbimeve informative greke dhe përmendi emrin e Fredi Belerit. Këto deklarata u pasuan nga reagime të forta dhe kritika nga gazetari Arjan Çani në emisionin e tij.
Tashmë mbetet për t’u parë se si do të vijojë kjo përballje në gjykatë, në një çështje që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe të botës mediatike.
