Mos e humbni! Dashuria e vërtetë për Kombin — shkruar nga Marin Mema

Shkruar nga Marin Mema, Facebook: “Gjeni vetëm 4-5 minuta kohë ta lexoni!”

“Mërzitja e shqiptarëve dhe dëshira për ndryshim nuk është çështje grupesh, anësh apo etiketimesh politike, por një reagim i natyrshëm ndaj një realiteti të gjatë mungese vëmendjeje dhe përgjegjësie. Ajo buron nga premtime të përsëritura që mbeten në fushata, nga pagat e ulëta, pensionet e pamjaftueshme dhe mungesa e mundësive që po i detyrojnë të rinjtë të largohen. E nis nga pika thelbësore, ndryshimet nuk bëhen nga persona dhe Shqipëria nuk ka nevojë për një person, cilido qoftë ai, por për një grup të madh! Idhujt dëmtojnë! Personalizimi i protestave dëmton! Sulmet personale pa kuptuar problemet dëmtojnë! Ne duhet të bashkohemi!

Në vend të zgjidhjeve, politika shpesh ka prodhuar përplasje, etiketim dhe zhurmë, duke larguar vëmendjen nga problemet e vërteta dhe duke shtuar ndarjet artificiale në shoqëri. Kam qenë prej ditës së parë në protestë, në 31 maj dhe nuk jam ndalur. Prej asaj dite kam qenë gjithmonë mes qytetarëve.

Nuk ka nevojë për armiqësi, sharje, debate të pafundme apo inate që vetëm thellojnë përçarjen, as për profile false që ushqejnë konflikt dhe helmojnë debatin publik. Nuk ka nevojë për individë heronj, por për ndërtimin e një sistemi modern, si kudo në vendet e zhvilluara! Mos e mbushni njëri-tjetrin me helm miq, sepse në fund kemi të njëjtat probleme, vuajmë po ato halle! Shqiptarët që kërkojnë ndryshim nuk janë armiq të njëri-tjetrit dhe as të vendit të tyre, por njerëz që duan një Shqipëri më të mirë, më të drejtë dhe më të jetueshme. Jemi një popull i vetëm, dhe mjafton të shohësh pak më gjerë për të kuptuar se në fund të gjithë lidhemi diku, në një mënyrë apo tjetër.

Të gjithë duan më shumë zhvillim : shfrytëzim të drejtë të pasurive kombëtare si kromi, nafta, bakri, hekur-nikeli dhe bitumi, zhvillim të bujqësisë e blegtorisë, forcim të prodhimit vendas dhe ndërtim të një ekonomie prodhuese që sjell punësim dhe siguri ekonomike. Padyshim edhe turizëm, por i zhvilluar në mënyrën e duhur, me kujdes dhe respekt për natyrën e të ardhmen. Më shumë mundësi për të rinjtë, për të jetuar denjësisht në vendin e tyre, duke patur mbështetje në forma të ndryshme, punësim, meritokraci… për të siguruar një apartament, që me çmimet aktuale as nuk mund ta ëndërrojnë. Dashuria nuk është urrejtje! Kush është i ndershëm e do me zemër këtë vend, jo për një forcë a një tjetër, por sepse ky është vendi ynë!

Në fund, pavarësisht ndarjeve që krijohen, mbetet një e vërtetë e thjeshtë: ky është një popull që kërkon dinjitet, zhvillim dhe një të ardhme të përbashkët më të mirë. Ne duam të gjithë një Shqipëri më të mirë! Këtë nuk e bën asnjë individ, asnjë, por një skuadër që e do Kombin me zemër! Nuk është histori individësh, por një populli! Nuk kam kërkuar kurrë karrige e pozita, nuk dua pushtet, nuk dua të krijoj parti, ndoshta sepse idealistët ndihen larg saj! Ajo është një botë e pisët, me baltë, shpifje, errësirë. Njerëz si unë dhe ka shumë, nuk e gjejnë veten në një botë të tillë, madje politika u merr lirinë e shpirtit! Politika kërkon kompromise, marrëveshje, çka nuk e bëj dot kurrë! Nuk bëj dot asnjë kompromis me atë që besoj! Parti do të thotë pjesë, pra ndarje… dhe unë nuk dua të ndaj, por të bashkoj! Dua të bashkoj sa mundem! Kjo është ndjesia që kam, ky është shpirti im, kjo është ajo që dua të lë pas kur të mos jem më në këtë botë. Ishte dikur një djal me zemër të madhe që donte të bashkonte…

Sigurisht kam qenë pjesë e protestave gjithmonë, nga ato për armët kimike, tek ato studentore, tek ato për Klodian Rashën e shkretë, tek ato kundër krimit, tek ato kundër korrupsionit, tek ato kundër rritjes së çmimeve në 2022 e deri tek minatorët në Spaç e naftëtarët ndaj Bankers në Marinëz, Fier! Kam qenë e do të jem, siç edhe në protestat e fundit, prej fillimit, më 31 maj 2026, sepse besoj tek fryma qytetare! Besoj tek ndryshimi që sjell fryma e re, tek domosdoshmëria që elitat politike të ndryshojnë! Besoj se ka djem e vajza të rinj që mund ta drejtojnë këtë vend më mirë. Për këtë jam përpjekur të paktën 20 ditët e fundit të flas, diskutoj, thërras shumë intelektualë me peshë, por për arsye të ndryshme tryeza e rrumbullakët nuk ka arritur të konkretizohet! Përpjekjet vijojnë! Janë përpjekje për vendin, jo veten, të cilat jam përpjekur ti adresoj prej kohësh.

Në periudhën mes viteve 2025-26 kam qenë pjesë e mbi 77 takimeve me të rinj, në universitete e gjimnaze kudo në vend, nga Maqellara, Burreli, Shkodra e Lezha, Berati e Vlora, Kolonja e Korça, Pogradeci e Durrësi, Elbasani e Kavaja, Lushnja, Kamza, Tirana e kudo… Është një përpjekje, për të bashkuar rininë rreth vlerave të vërteta: respektin për familjen, mësuesit, dhe për të forcuar lidhjen e tyre me kombin. Po përpiqem t’i drejtoj sadopak drejt një të ardhme aspak të lehtë. Kemi diskutuar për historinë, traditën, figurat kombëtare, për ëndrrat që kanë të rinjtë, sfidat e tyre, për gjërat që kanë vërtet vlerë në jetë… respektin, ndershmërinë, punën, të ardhmen, reagimit ndaj padrejtësive. E kam bërë me kohën time, mundësite e mia, ekonominë time! Nuk është pjesë projektesh, por inisiativë personale për ti shërbyer vendit, të ardhmes së tij! Dikujt mund t’i duket idealizëm i tepruar, por jam i sigurt se masa dërrmuese e shoqërisë shqiptare e ndjen nevojën e takimeve të tilla, ku rinia të diskutojë mbi vlerat e vërteta! Kjo është ajo që dua të bëj! T’i shërbej vendit tim, pa asgjë në këmbim, pa u përzier në kulisat e nëndheshme të politikës.

Të mos merresh me politikë, të mos kesh ambicje politike, nuk ka lidhje me frikën, por me dëshirën për ti qëndruar larg pisllikut që ajo për fat të keq prodhon… Frikë kam veç nga Zoti dhe askush tjetër! Forcën e kam treguar e do vazhdoj ta tregoj duke u qëndruar përballë ekstremistëve nga Serbia në Greqi e kudo… më kanë dhunuar, mbajtur, shoqëruar, kërcënuar, shpallur “Non Grata” dhe nuk jam tërhequr! Misioni nuk do të ndalet kurrë! Jo vetëm kudo në trojet shqiptare, por duke u përballur edhe me ata që abuzojnë, vjedhin, grabisin, shkatërrojnë! Do të luftoj me ta përmes punës sime, përmes zbulimit të së vërtetës dhe duke qenë në protesta gjithmonë!

Rrugëtimi im, është rrugetimi i një djali e sot burri, që do me shpirt Kombin e tij! Dashuria për Kombin është themeli im i vetëm! Bashkimi Kombëtar misioni që kam! Dua të eci në rrugëtimin tim të jetës duke bashkuar, duke ndjekur amanetin e Gjergj Kastriotit, Frashërllinjve, Nolit e Fishtës, Hasan Tahsinit e Sulejman Vokshit, Papa Kristo Negovanit e Bajo e Çerçiz Topullit, Veqilharxhit dhe Qiriazëve, At Stath Melanit e Hafiz Ali Korçes, Gurakuqit e Ismail Qemalit që nuk u nda nga Is Boletini… e deri tek Adem Jashari e zemra e tij e zjarrtë! Amaneti i këtyre madhështorëve më drejton! Nuk ka gjë më të shenjtë se të luftosh per Kombin tënd, pa kërkuar asgjë në këmbim”.