Orë pas lajmit tronditës për vdekjen e Diogo Jotës dhe vëllait të tij André në një aksident rrugor në Spanjë, autoritetet kanë publikuar të dhëna paraprake mbi atë që ndodhi realisht në autostradën A-52, në provincën e Zamorës.
Sipas raportimit të gazetës spanjolle AS, që citon burime pranë hetuesve, aksidenti ka ndodhur rreth orës 00:30 të mëngjesit të së mërkurës, në momentin kur automjeti luksoz tip Lamborghini, me të cilin po udhëtonin dy vëllezërit, tentoi të parakalonte një automjet tjetër në të njëjtin aks.
Në atë moment, për arsye ende të paqarta, njëra nga gomat e përparme të makinës ka shpërthyer. Ky defekt i papritur e bëri të pamundur kontrollin e mjetit, i cili jo vetëm që doli nga rruga, por përfundoi jashtë autostradës dhe u përfshi nga flakët menjëherë pas përplasjes.
Pamje video nga vendngjarja, të publikuara nga mediat spanjolle, tregojnë përmasat e dëmtimit të automjetit dhe reagimin e shpejtë të shërbimeve të emergjencës. Por, për fat të keq, zjarrfikësit, policia dhe ambulanca nuk arritën të shpëtonin asnjërin nga dy të rinjtë, të cilët u shpallën të vdekur në vendngjarje.
Diogo Jota, 28 vjeç, ishte sulmues i Liverpoolit dhe një nga figurat qendrore të Kombëtares portugeze.
Vëllai i tij, André, gjithashtu ishte aktiv në futbollin profesionist, duke luajtur me skuadrën portugeze Penafiel. Dy javë më parë, Jota kishte kurorëzuar martesën me partneren e tij, Rute Cardoso.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik, ndërkohë që bota e futbollit vijon të shprehë ngushëllimet për humbjen e papritur të dy sportistëve.