Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë të re dramatike, pasi Forcat Ajrore të Izraelit kanë realizuar një nga ndërhyrjet më të thella dhe më agresive brenda hapësirës ajrore iraniane deri më tani.
Sipas një deklarate zyrtare të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjatë natës, dhjetëra avionë izraelitë goditën objektiva strategjikë brenda dhe përreth kryeqytetit iranian, Teheran.
Gjeneral brigade Effie Defrin, zëdhënëse e IDF-së, deklaroi në një konferencë për shtyp të shtunën se “epërsia ajrore është vendosur nga Irani perëndimor deri në Teheran, duke i mundësuar Izraelit të operojë lirshëm në këtë hapësirë.”
“Pilotët tanë fluturuan për rreth dy orë e gjysmë mbi Teheran, së bashku me UAV-të tona që qëndrojnë në ajër 24/7, duke mbikëqyrur zonën, mbledhur inteligjencë dhe kryer sulme precize,” tha Defrin.
Në sulmin e koordinuar gjatë natës, më shumë se 70 avionë izraelitë kanë goditur rreth 40 objektiva strategjikë në kryeqytetin iranian dhe zonat përreth.
Objektivat përfshinin qendra të inteligjencës ushtarake, depo të armatimit, struktura të komandimit dhe njësi të mbrojtjes ajrore.
Kjo është hera e parë që forcat izraelite kanë vepruar kaq thellë brenda territorit iranian, një akt që përfaqëson një zhvillim të jashtëzakonshëm strategjik dhe një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit mes dy shteteve.
“Kjo është hera e parë që kemi operuar në këtë hapësirë ajrore”, konfirmoi Defrin. “Falë sulmeve tona të para, eliminuan shumë nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit, duke lejuar që dhjetëra avionë të operojnë lirshëm mbi Teheran.”
“Kjo epërsi ajrore na lejon të veprojmë dhe të parandalojmë kërcënimet ndaj Izraelit në kohë reale,” theksoi zëdhënësja e IDF-së.
Derisa Izraeli ka publikuar detaje të operacionit, autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ende zyrtarisht, ndërkohë që mediat lokale raportojnë për shpërthime të shumta gjatë natës në periferi të Teheranit.
Rrjetet ajrore civile u pezulluan përkohësisht, ndërsa forcat iraniane janë vendosur në gatishmëri të lartë.
Ekspertët paralajmërojnë se ky operacion mund të shtyjë Iranin drejt një reagimi të ashpër dhe të çojë në përshkallëzimin e një konflikti rajonal me pasoja të paparashikueshme.