Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e dy mjekëve Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë më herët nga Gjykata e Apelit në çështjen që lidhet me vdekjen e Doriana Hakës, ish-bashkëshortes së ish-portierit Alban Hoxha.
Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, dy mjekët janë shpallur fajtorë për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm. Me mospranimin e rekursit, vendimi i Apelit ndaj tyre mbetet në fuqi.
Çështja lidhet me ngjarjen e nëntorit të vitit 2014, kur Doriana Haka humbi jetën rreth dy javë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë.
Sipas vendimit gjyqësor të raportuar, mjekët nuk kishin kryer ekzaminimet e nevojshme në rastin e saj, element që është marrë në konsideratë gjatë procesit penal.
Në nëntor të vitit 2025, mjekja reanimatore Elona Burba u shpall fajtore dhe u dënua me një vit burg. Dënimi me burg u pezullua dhe u zëvendësua me dy vite shërbim prove. Gjykata vendosi gjithashtu pezullimin e së drejtës së saj për ushtrimin e profesionit për një periudhë dyvjeçare.
Kirurgu Petrit Rexhepi u dënua me gjashtë muaj burg, masë që u konvertua në 12 muaj shërbim prove.
Pas një procesi gjyqësor që lidhet me një ngjarje të ndodhur afro 12 vite më parë, rekursi i dy mjekëve nuk ka kaluar filtrin e Gjykatës së Lartë, duke lënë të pandryshuar vendimin e Apelit.
