Sinjale të reja nga Kryeministria: Edi Rama drejt largimit nga pushteti?

Edi Rama ka folur sërish për të ardhmen e tij politike dhe momentin kur mund të largohet nga drejtimi i qeverisë, duke e lidhur këtë herë qëndrimin e tij në detyrë me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë një interviste të fundit, kryeministri deklaroi se nuk synon të qëndrojë në pushtet pa afat dhe se objektivi që e motivon aktualisht është përfundimi i rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.

“Unë nuk jam këtu për t’u bërë mbret ose për të qëndruar në pafundësi. Unë jam këtu vetëm sepse shoh derën e hapur të Bashkimit Europian”, u shpreh Rama.

Ai shkoi më tej, duke lënë të kuptohet se anëtarësimi i vendit në BE mund të shënojë edhe momentin e përfundimit të angazhimit të tij në krye të qeverisë.

“Në momentin që, me ndihmën e Zotit dhe të shqiptarëve, unë e kapërcej pragun e asaj dere, juve do të shpëtoni nga unë”, deklaroi kryeministri.

Deklarata vjen pasi Rama ka siguruar mandatin e katërt radhazi në krye të qeverisë. Para zgjedhjeve, ai kishte deklaruar se largimi i tij nga Kryeministria mund të vinte përmes votës së qytetarëve ose përmes një vendimi personal për t’u tërhequr nga politika.