Detaje tronditëse zbulohen për gazetarin 26-vjeçar që humbi jetën në Vorë

Një aksident i rëndë në aksin Vorë–Fushë Krujë i mori jetën mëngjesin e së mërkurës gazetarit 26-vjeçar Xhesjon Zogu. I riu ishte nisur nga fshati Shkretë i Krujës drejt Tiranës për të shkuar në punë, kur u përfshi në aksident pranë Urës së Gjolës.

Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Benz”, që lëvizte nga Rinasi drejt Fushë-Krujës, dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar dhe është përplasur kokë më kokë me automjetin “Land Rover” që drejtohej nga Zogu dhe po vinte në drejtim të kundërt.

Përplasja ka qenë e fortë dhe të dy automjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Xhesjon Zogu u transportua drejt spitalit, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.

I plagosur ka mbetur edhe drejtuesi i automjetit tjetër, i cili është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar dinamikën dhe shkaqet e plota të aksidentit.

Pas humbjes së 26-vjeçarit janë bërë publike edhe disa detaje të vështira nga jeta e tij familjare. Sipas raportimeve, Xhesjoni ishte rritur pa të atin, i cili ishte vrarë rreth 20 vite më parë. Ai jetonte me nënën e tij, e cila po përballet me një sëmundje të rëndë, ndërsa vëllai i tij ndodhet i arrestuar.

Pavarësisht vështirësive familjare, Xhesjon Zogu kishte zgjedhur të ndërtonte rrugën e tij profesionale në media. Gjatë viteve të fundit kishte punuar në disa portale dhe televizione shqiptare.

Udhëtimi i tij i zakonshëm drejt punës përfundoi tragjikisht mëngjesin e 2 shtatorit, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë për aksidentin.