Një shtëpi e vogël në një zonë të thellë të Nepalit është bërë virale në rrjetet sociale, pasi arriti t’i rezistonte një përmbytjeje të fuqishme që mori përpara ndërtesa dhe mbushi zonën me ujë, baltë, gurë e pemë të shkulura.
Në pamjet që po qarkullojnë në internet shihet rrjedha e furishme që kalon mes banesave, ndërsa një familje ndodhet në ballkonin e njërës prej shtëpive. Pavarësisht forcës së ujit dhe materialeve që kalojnë përreth, ndërtesa qëndron në këmbë dhe personat brenda saj arrijnë të shpëtojnë.
Por çfarë e bëri pikërisht këtë shtëpi kaq rezistente? Sipas një analize të publikuar nga “Architecture Presentation” në X, një nga faktorët kryesorë mund të ketë qenë mënyra e ndërtimit. Ndryshe nga banesat tradicionale me muraturë guri pa skelet betoni, kjo ndërtesë kishte një strukturë të përforcuar prej betoni.
Armatura prej çeliku që lidh kolonat, trarët dhe themelet krijon një strukturë më të integruar, e aftë të përballojë dhe të shpërndajë më mirë forcat anësore të ushtruara nga uji dhe mbetjet që transportohen prej tij.
Edhe vendndodhja duket se ka luajtur rol. Shtëpia ndodhej paksa jashtë trajektores kryesore të rrjedhës dhe në një terren relativisht më të lartë. Forma e saj kompakte mund të ketë ndihmuar gjithashtu që masa e ujit dhe e mbetjeve të ndahej në të dyja anët, në vend që ta godiste të gjithë ndërtesën drejtpërdrejt.
Sipas të njëjtit shpjegim, edhe balta e grumbulluar përreth mund të ketë ndikuar në devijimin e një pjese të rrjedhës së mëvonshme. Pra, mbijetesa e shtëpisë nuk i atribuohet një elementi të vetëm, por kombinimit të konstruksionit të përforcuar, pozicionit dhe mënyrës se si rrjedha kaloi përreth saj.
Megjithatë, bëhet fjalë për një analizë të bazuar në pamjet e publikuara dhe jo për një ekspertizë inxhinierike të kryer në vendngjarje.
