Ndarja e Bes Kallakut dhe Xhensila Myrtezajt ishte padyshim një prej zhvillimeve më të komentuara të showbizit shqiptar.
Për vite me radhë, ata ishin parë si një prej çifteve më të konsoliduara të ekranit, ndërsa historia e tyre kishte nisur shumë kohë përpara se të krijonin familjen dhe të bëheshin prindër.
Pikërisht për këtë arsye, fundi i martesës së tyre mori një vëmendje të madhe. Pas ndarjes, Besi kaloi një periudhë ku në daljet dhe deklaratat e tij publike nuk munguan referencat për një kapitull të vështirë të jetës. Për të situata ishte edhe më e ndërlikuar për faktin se me Xhensilën kishte krijuar familje dhe dy fëmijët e tyre vazhdojnë t’i lidhin si prindër.
Në atë periudhë pati edhe aludime të ndryshme në rrjet për mënyrën se si aktori po e përballonte ndarjen, përfshirë pretendime për konsum të shtuar të alkoolit. Këto pretendime, megjithatë, nuk u konfirmuan asnjëherë dhe mbetën vetëm në nivelin e spekulimeve në rrjet.
Por nëse shohim Bes Kallakun e muajve të fundit, imazhi që ai përcjell publikisht është dukshëm tjetër.
Aktori shfaqet më shpesh i buzëqeshur dhe postimet e tij janë të mbushura me mesazhe mirënjohjeje. Besi ka folur hapur edhe për afrimin e tij me besimin, ndërsa falënderimet ndaj Zotit janë kthyer në një element të shpeshtë të publikimeve të tij.
Një rol të rëndësishëm në këtë kapitull të ri duket se ka edhe dashuria.
Besi ka konfirmuar se në jetën e tij tashmë ndodhet një partnere e re, Ejona, por këtë herë ka zgjedhur një qasje shumë më private. Ai nuk e ka ekspozuar publikisht identitetin dhe fytyrën e saj, edhe pse për ndjenjat që ka ndaj partneres së re nuk është treguar po aq i rezervuar.
Madje, gjatë një koncerti, Kallaku tregoi se Ejona ishte personi që i kishte rikthyer buzëqeshjen pas një periudhe të vështirë, duke i thënë publikisht: “Ejona, të dua!”
Së fundmi është vënë re edhe një tjetër detaj. Besi është shfaqur me një unazë në gisht, ndërsa një prej postimeve të tij e shoqëroi me fjalët “Faleminderit Zot” dhe këngën “Happiest Year”. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse marrëdhënia e re mund të jetë duke shkuar drejt një hapi edhe më të rëndësishëm.
Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim nga Bes Kallaku për fejesë apo martesë, ndaj unaza nuk mund të merret si provë se çifti ka kurorëzuar marrëdhënien.
Ajo që vihet re është ndryshimi në mënyrën se si Besi po e prezanton jetën e tij. Story-t e tij janë të mbushura me momente të përditshmërisë, dalje, buzëqeshje dhe mesazhe pozitive. Edhe në fotografinë e fundit, aktori shfaqet i qetë dhe i buzëqeshur, duke vazhduar imazhin që ka përcjellë gjatë muajve të fundit.

Në këtë kuptim, ndarja që fillimisht dukej se kishte hapur një prej periudhave më të vështira të jetës së tij, duket se me kalimin e kohës i ka hapur rrugën një kapitulli të ri.
Nga ana tjetër, edhe Xhensila Myrtezaj ka vijuar jetën dhe karrierën e saj. Këngëtarja mbetet aktive me projektet muzikore dhe në rrjetet sociale, ku publikon shpesh edhe momente pranë fëmijëve.
Në aspektin sentimental, emri i saj është lidhur vazhdimisht në media me Ledri Vulën dhe dyshja është fotografuar e komentuar për afrimitetin mes tyre. As Xhensila dhe as Ledri nuk kanë konfirmuar publikisht një lidhje, ndaj raportimet për një romancë mes tyre vazhdojnë të mbeten të pakonfirmuara.
Për Besin, ndërkohë, një gjë duket e qartë nga ajo që ai vetë ka zgjedhur të ndajë me publikun: pas një periudhe të vështirë, aktori ka kthyer faqe dhe sot po jeton një fazë të re, si në jetën personale ashtu edhe në mënyrën se si shfaqet para publikut.
