Zbulohet arsyeja që shtyu të riun shqiptar t’i merrte jetën 20-vjeçarit francez në shezlonget në Ksamil

Detaje të reja janë bërë të ditura nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari francez Miguel Mendes. I riu u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, në shezlongët e një plazhi pranë një lokali.

Policia ka identifikuar si autor të dyshuar Sokrat Vatën, 29 vjeç, banues në Has. Ai është larguar pas ngjarjes dhe vijon të jetë në kërkim.

Nga këqyrja e trupit në morgun e Sarandës, sipas burimeve, është konstatuar se 20-vjeçari kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor. Plagët e marra dyshohet se i kanë shkaktuar vdekjen në vend.

Miguel Mendes kishte mbërritur në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë për të kaluar pushimet në jug të Shqipërisë. Ndërkohë, 29-vjeçari i dyshuar mësohet se punonte si roje plazhi në hotelin “Pronciopotes”.

Të dhënat paraprake të hetimit hedhin dritë edhe mbi atë që mund të ketë shkaktuar konfliktin mes dy të rinjve. Sipas burimeve, në qendër të përplasjes dyshohet se ka qenë një vajzë.

Ky version mbetet ende në fazën e hetimit dhe nuk është konfirmuar përfundimisht nga autoritetet. Pritet që dëshmitë dhe provat e mbledhura të përcaktojnë dinamikën e plotë të ngjarjes dhe motivin e konfliktit.

Ndërkohë, kontrollet për gjetjen dhe arrestimin e Sokrat Vatës vijojnë, ndërsa grupi hetimor po punon për të sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në vdekjen e 20-vjeçarit francez.