Merret vendimi drastik nga e-Albania për Inteligjencën Artificiale, ja ç’duhet të dini

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale po zgjerohet edhe në administratën publike shqiptare, ku disa sisteme tashmë po përdoren për analizimin e legjislacionit, përpunimin e të dhënave dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

Në një video të publikuar nga e-Albania, Mattias Bilaj, specialist në Drejtorinë e Inteligjencës Artificiale në AKSHI, ka prezantuar katër prej sistemeve që janë vënë në funksion.

Një prej tyre është “Mbivendosja Ligjore”. Sistemi analizon aktet ligjore dhe evidenton dispozitat që përsëriten, mbivendosen ose mund të krijojnë paqartësi. Në këtë mënyrë, ekspertët mund të identifikojnë më shpejt problematikat gjatë shqyrtimit të legjislacionit.

Inteligjenca Artificiale është integruar gjithashtu në Platformën e Integrimit dhe Anëtarësimit Europian. Moduli përdoret për të përshpejtuar përkthimin, analizën dhe procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Pavarësisht përdorimit të teknologjisë, vendimmarrja përfundimtare mbetet në dorën e ekspertëve.

Një tjetër sistem është eIAD, i cili përdoret në administratën tatimore. Përmes analizimit të të dhënave, sistemi evidenton anomali dhe raste që paraqesin risk, duke i dhënë administratës një tjetër instrument për kontrollin dhe përpunimin e informacionit.

Sistemi i katërt është Diella, asistentja virtuale e e-Albania. Ajo përdoret për të orientuar qytetarët, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për t’i ndihmuar në gjetjen e shërbimeve apo dokumenteve publike që u nevojiten.

Sipas Bilajt, këto sisteme kanë një objektiv të përbashkët: përdorimin e teknologjisë për një administratë më të shpejtë, efikase dhe transparente, duke thjeshtuar njëkohësisht marrëdhënien e qytetarëve me institucionet.

Platforma e-Albania u lançua në vitin 2013 nga qeveria shqiptare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me synimin për të kaluar një pjesë të shërbimeve publike online dhe për të reduktuar procedurat në sportele. Platforma është zgjeruar ndër vite, ndërsa së fundmi është prezantuar edhe versioni e-Albania 2.0.

Zgjerimi i përdorimit të Inteligjencës Artificiale në institucionet shtetërore është përmendur edhe më herët nga kryeministri Edi Rama. Mes fushave ku është synuar përdorimi i saj janë edhe Prokurimet Publike, me objektivin për të reduktuar ndërhyrjen njerëzore në pjesë të proceseve administrative.