E futën në bagazhin e makinës/ Çfarë dëshmuan dy turqit që ndihmuan autorin e vrasjes në Ksamil

Detaje të reja janë mësuar nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, ngjarje për të cilën është arrestuar Sokrat Vata.

29-vjeçari është marrë në pyetje nga grupi hetimor për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, por ka zgjedhur të mos japë asnjë deklarim.

Ndërkohë, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe dy shtetasit turq që ndodheshin në automjetin me të cilin po largohej Vata. Në prani të përkthyesve, ata kanë deklaruar se ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes” dhe se e paguanin 29-vjeçarin për shërbime si truproje dhe shoqërues personal.

Sipas versionit të tyre, Vatën e kishin marrë në automjet për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin krijuar me të. Ata kanë mohuar se qëllimi ishte ta ndihmonin të largohej pas ngjarjes.

Pjesë e hetimeve janë bërë edhe dëshmitë e miqve të viktimës, të cilët kanë treguar versionin e tyre për nisjen e konfliktit.

Nga dëshmitë paraprake rezulton se përplasja dyshohet se nisi pas ngacmimit të një vajze brenda ambienteve të lokalit. Debati më pas u përshkallëzua dhe në konflikt u përfshinë disa persona.

Në situatë ndërhynë edhe punonjësit e sigurisë së lokalit, mes të cilëve ishte edhe Sokrat Vata.

Sipas dëshmisë së miqve të viktimës, “20-vjeçari portugez kishte ndërhyrë për të ndarë personat e përfshirë në sherr”, por gjatë përplasjes është goditur me thikë.

Hetuesit po vijojnë me administrimin e dëshmive dhe provave për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.