Atentati në Elbasan, zbulohet dëshmia e 52-vjeçarit: Ja pse doja ta vrisja…

Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg Poli Boriçin, 52-vjeçarin e arrestuar pas tentativës për të vrarë Ermir Kërtezin në një lokal në Elbasan.

Prokuroria kërkoi ndaj tij masën “arrest me burg” për akuzat “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kërkesë që u pranua nga gjykata.

Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, Boriçi, përmes avokatit të caktuar kryesisht, mësohet të ketë deklaruar se nuk kishte si qëllim ta vriste Kërtezin, por vetëm ta frikësonte.

Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës në një lokal në Elbasan. Sipas të dhënave të hetimit, Boriçi i drejtoi pistoletën në kokë Ermir Kërtezit, ndërsa ky i fundit arriti të largohej me vrap.

Dyshohet se arma e 52-vjeçarit u bllokua në momentin kur ai tentoi ta përdorte. Boriçi u arrestua nga policia vetëm pak minuta pas ngjarjes.

Në dëshminë e parë të dhënë pas arrestimit, 52-vjeçari ka treguar edhe motivin që, sipas tij, qëndron pas konfliktit. Ai është shprehur se kërkonte të merrte hak për vëllain, për të cilin pretendon se ishte plagosur nga Kërtezi rreth 15 vite më parë dhe kishte mbetur i paralizuar.

Nga ana tjetër, Ermir Kërtezi ka dhënë një version tjetër për raportet mes palëve. Ai mësohet t’u ketë deklaruar prokurorëve se dy familjet janë fqinje dhe se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar prej vitesh.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar pretendimet e palëve.