Një lajm i trishtë ka prekur familjen dhe të afërmit e Arlend Prend Gjonit, i njohur si Ledi, i cili është ndarë nga jeta në moshën 35-vjeçare.
Sipas njoftimit të familjes, shkak i ndarjes së tij të parakohshme nga jeta ka qenë një atak kardiak.
Arlend Gjoni, me origjinë nga Berisha e Pukës, kishte ndërtuar ndër vite rrugëtimin e tij në biznes dhe sipërmarrje. Fillimisht emigrant, ai më pas u angazhua në investime dhe projekte të lidhura me teknologjinë dhe inovacionin.

Vitet e fundit Gjoni ishte zhvendosur në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ishte bashkëthemelues i “Prepaire Labs”, kompani e fokusuar në zhvillimin e teknologjive në fushën e bioteknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Mes projekteve të kompanisë është edhe “GenetiQ Digital Twin”, një teknologji e konceptuar për të ndërthurur të dhëna gjenetike, metabolike, klinike, imazherike dhe biometrike, me synimin për të ndihmuar në identifikimin e hershëm të rreziqeve shëndetësore dhe personalizimin e trajtimeve.
Të afërmit e përshkruajnë Arlendin si një njeri me vizion dhe ambicie, i cili, pavarësisht moshës së re, ishte angazhuar në projekte që synonin të sillnin risi në ndërthurjen mes teknologjisë dhe shëndetësisë.
Pritja e të ndjerit do të bëhet pranë shtëpisë funerale “Alba 2000”, në Rrugën e Durrësit, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet të dielën, më 16 gusht, në orën 13:00, pranë varrezave të Prushit, Kombinat, Tiranë.
Ngushëllime familjes Gjoni dhe të afërmve për humbjen.
