Sipas shkencës, këto janë disa nga tiparet që e bëjnë një person tërheqës

Çfarë e bën një person të duket tërheqës? Edhe pse bukuria shpesh konsiderohet çështje shijesh, një studim i ri sugjeron se ekzistojnë disa tipare që vlerësohen në mënyrë të ngjashme nga shumë njerëz.

Shkencëtarët analizuan më shumë se 600 fytyra me ndihmën e teknologjisë së skanimit 3D, me synimin për të kuptuar se cilat karakteristika perceptohen si më tërheqëse te gratë dhe burrat.

Sipas rezultateve, te gratë vlerësohen më shumë fytyrat më të holla, buzët më të plota dhe tiparet e qarta të fytyrës. Megjithatë, studiuesit theksojnë se tërheqja nuk lidhet me një tipar të vetëm, por me harmoninë mes elementëve të ndryshëm të fytyrës.

Si shembuj të fytyrave që afrohen me këtë model, studimi përmend aktoren Margot Robbie dhe modelen Elsa Hosk.

Për meshkujt, karakteristikat që u vlerësuan më tërheqëse u krahasuan me ato të aktorit Henry Cavill dhe modelit David Gandy.

Studimi ndalet edhe te rëndësia e përshtypjes së parë. Sipas studiuesve, njerëzit krijojnë një mendim fillestar për dikë në vetëm një të dhjetën e sekondës. Ky vlerësim nuk lidhet vetëm me pamjen fizike, por ndikon edhe në perceptimin për besueshmërinë, kompetencën dhe inteligjencën e një personi.

Autorët e studimit theksojnë gjithashtu se, në përgjithësi, fytyrat e grave vlerësohen si më tërheqëse se ato të burrave. Sipas Eugen Wassiliwizky, autor kryesor i studimit nga Instituti “Max Planck” për Estetikën Empirike në Frankfurt, vetë gratë priren t’i vlerësojnë gratë e tjera si më tërheqëse, ndërsa fytyrat e meshkujve marrin vlerësime të ngjashme dhe përgjithësisht më të ulëta nga të dyja gjinitë.