Kryeministri Edi Rama mori pjesë në forumin europian të inovacionit dhe sipërmarrjes “Ruhr Summit”, të zhvilluar në Dyseldorf të Gjermanisë, ku foli për përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e prokurimeve publike.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se synimi është ndërtimi i një sistemi që përdor inteligjencën artificiale për të mbështetur institucionet në prokurimet publike, duke theksuar se teknologjia nuk synon të zëvendësojë njerëzit, por të forcojë funksionimin e tyre.
“Ç’do të ndodhte nëse inteligjenca artificiale do të bëhej një partner inteligjent përgjatë gjithë procesit të prokurimit publik, jo për të zëvendësuar njerëzit, por për të forcuar institucionet. Dhe sot po ndërtojmë pikërisht këtë gjë. Ëndrra ime është që ta finalizojmë dhe pastaj t’ia shesim Gjermanisë!
Po, sepse pas 35 vjetësh që Gjermania na gozhdon që duhet të luftojmë korrupsionin, do të ishte fantastike nëse do të kontribuonin që gjermanët të luftonin edhe ata disa prej korrupsionit të tyre.”
Deklarata e kryeministrit u prit me të qeshura nga të pranishmit në sallë, ndërsa ai e paraqiti idenë si një objektiv për të ardhmen në fushën e dixhitalizimit dhe transparencës së prokurimeve publike.
