Dhuna në protestë, reagon Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, ka reaguar pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar përpara Parlamentit në Tiranë, duke dënuar përdorimin e forcës ndaj protestuesve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, eurodeputeti publikoi pamje nga ndërhyrja e policisë dhe shprehu shqetësimin për mënyrën se si u menaxhua protesta. Sipas tij, përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve që ushtronin të drejtën për t’u tubuar është i papranueshëm.

Reagimi i zyrtarit europian vjen në një kohë kur ndërhyrja e forcave të rendit gjatë protestës ka nxitur debate të shumta në vend.

Pamjet nga protesta, ku shfaqen efektivët duke përdorur gaz lotsjellës, spraj me piper, ujë me presion dhe duke kryer arrestime, janë shpërndarë gjerësisht edhe në mediat ndërkombëtare, duke tërhequr vëmendjen mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri.