“Dërgoji të fala burrit”/ Para Prime-t, përplasje e ashpër mes Mozës dhe Sarës

Atmosfera brenda “Ferma VIP” ka pësuar një tjetër krisje pas një debati të hapur mes Sara Karajt dhe Mimoza Ahmetit.

Shkak për këtë përplasje janë bërë komentet e vazhdueshme dhe batutat me nuanca ironike që shkrimtarja ka drejtuar kundrejt sjelljes dhe mënyrës se si Sara po prezantohet në format.

Gjatë këtij diskutimi, Moza ka thumbuar hapur edhe anën sensuale të Sarës, duke e mbyllur me një fjali që ka sjellë irritimin e menjëhershëm të kësaj të fundit: “Dërgoji të fala burrit”.

Sara e ka konsideruar të papranueshme këtë ndërhyrje dhe ka reaguar e revoltuar, gjë që ka bërë që debati mes tyre të zgjasë për disa minuta në tone mjaft të larta.

Ndonëse banorët e tjerë kanë ndërhyrë për të shuar sherrin, marrëdhënia mes dy konkurrenteve duket se është ndërprerë përfundimisht.

Raporti i tyre ka sjellë menjëherë edhe ndarjen e opinioneve te ndjekësit në rrjetet sociale, mes atyre që dënojnë provokimet e Mozës dhe të tjerëve që mbështesin strategjinë e saj.