Historia e një babai që ka zgjedhur të mbrojë vajzën e tij në mënyrën më gjeniale dhe sarkastike të mundshme po bën xhiron e botës, pasi letra e tij u publikua në rrjetin social Reddit.
Gjithçka nisi nga një kërkesë absurde në shkollë: mësuesja e edukimit fizik refuzoi t’i besonte vajzës kur ajo i tha se nuk mund të merrte pjesë në orën e mësimit për shkak të dhimbjeve menstruale.
Për mësuesen, fjala e nxënëses nuk mjaftonte; asaj i duhej një “provë” me shkrim nga prindi për të justifikuar mungesën.
Në vend që të shkruante një justifikim të thjeshtë, babai vendosi t’i jepte mësueses një leksion përmes humorit të zi, duke argumentuar se nëse fjala e vajzës nuk kishte vlerë, pse duhej të kishte vlerë fjala e tij pa patur “prova” konkrete?
Në letrën e tij, e cila është duartrokitur masivisht online, babai përshkruan me ironi hapat që ndërmori për të verifikuar këtë “fenomen” mujor:
“Vendosa të hetoj dhe të shoh nëse mund ta verifikoja këtë ‘fenomen’. Fillova duke kontrolluar koshat e banjës. Ka produkte higjienike të përdorura, por jetoj me tre gra, kështu që kjo nuk më duket provë përfundimtare. Më pas kontrollova koshat e rrobave të palara. Me sa duket, produktet higjienike e bëjnë shumë mirë punën e tyre, sepse nuk gjeta asnjë gjurmë të ‘vizitorit mujor’ në të brendshmet e askujt.”
Për ta bërë situatën edhe më komike, ai shton se ky “hetim” i kushtoi shtrenjtë me bashkëshorten e tij:
“Ndërsa po kontrolloja rrobat, më kapi gruaja. Nuk kisha rrugë tjetër veçse t’i shpjegoja çfarë po bëja dhe pse. Ajo është feministe dhe ka rreth 45 minuta që po më flet për patriarkatin. Po dëgjoj shpesh fjalën ‘divorc’ dhe shprehjen ‘do të largohem nga shtëpia’.”
Pasi i kujton mësueses se u zgjua në orën 6 të mëngjesit të dielën për t’i blerë tampona vajzës, ai e godet në shenjë me fjalinë përmbyllëse, duke i ofruar një kompromis “shpëtimi”:
“A mund të biem dakord të dy që t’i besojmë fjalës së saj, që të mos më duhet të përballem njëkohësisht me një divorc DHE një hetim nga shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve?”
