Flet pas shumë vitesh Olsi i Big Brother 1: “Ja pse u ndava nga Noçja”

Gjatë intervistës së tij të fundit në emisionin “Goca dhe Gra”, Olsi Mingomata nuk i ka shpëtuar as pyetjeve për një nga romancat më të komentuara në historinë e reality show-ve shqiptare: lidhjen me Najada Konomin, e njohur nga i gjithë publiku si “Noçja”.

Ndonëse brenda shtëpisë dyshja dhuroi emocione të forta dhe theu tabu për kohën, jashtë mureve të “Big Brother”, realiteti rezultoi krejt ndryshe.

I pyetur nga moderatoret se sa kohë qëndruan bashkë pas përfundimit të spektaklit, Olsi zbuloi se romanca nuk i rezistoi dot provës së kohës dhe nuk zgjati as një vit.

Ne kemi dalë në maj, disa muaj qendruam bashkë. Viti jo, nuk u bë,” – tregoi ai.

Po cili ishte shkaku i vërtetë i kësaj ndarjeje? Me sinqeritet, ish-banori mori përsipër pjesën e tij të fajit, duke treguar se përplasja mes stileve të jetesës dhe gabimet e tij personale çuan drejt fundit të pashmangshëm.

Dy shoqëri të ndryshme, njerëzit me të cilët rrija unë, njerëzit që rrinte ajo, edhe gabimet e mia… të jemi korrekt,” – e pranoi ai hapur.

Kur u ngacmua nga paneli nëse këto “gabime” ishin pasojë e famës së papritur që morën asokohe, apo nëse ishin thjesht reflektime të lidhjeve të tij të kaluara, Olsi nuk e mohoi aspak impaktin e madh që pati vëmendja publike tek ai.

Jo s’i kam bërë ndonjëherë në të kaluarën, por ishte ai momenti, ishte pak i fuqishëm [ndikimi i famës]. S’e kishim provuar ndonjëherë. Ishte gjithçka ndryshe,” – përfundoi ai.

Me këto fjalë, ai theksoi se presioni, fama dhe vëmendja e jashtëzakonshme e atyre përmasave (që për kohën ishte një fenomen i paprecedentë në Shqipëri), ishin diçka krejt e re dhe e vështirë për t’u menaxhuar siç duhet, duke ndikuar kështu edhe në jetën e tij personale.