Vanesa ishte e ftuar në “Uëtëfë Show”, ku hapur për raportin e krijuar brenda “Ferma VIP” me Indrin, por edhe për letrën e famshme me të cilën ai zgjodhi t’i jepte fund publikisht historisë së tyre.
Ajo u shpreh se, pavarësisht mënyrës si ndodhi gjithçka, e respekton vendimin e tij, edhe pse ende nuk i ka të qarta arsyet që e çuan drejt këtij hapi.
“Vendimin që ai ka marrë unë e respektoj. Arsyet i di ai. Nuk është e bukur normalisht, është diçka që askush s’do ndihej mirë, por është vendimi i tij dhe është në rregull (për mua)”, tha Vanesa.
Megjithatë, ajo theksoi se beson tek ndjenjat që kanë ekzistuar mes tyre gjatë qëndrimit në shtëpi, ndonëse Indri shpesh ka shkaktuar konfuzion me qasjen e tij ndaj saj.
“Indrin unë e besoj që ka pasur pëlqim, siç e kam thënë edhe brenda. Besoj se ka pasur edhe probleme, që s’mundem as unë, asnjë njeri t’i kuptojë përderisa nuk e di historinë e tij. Por unë jam një njeri që jepem 100%”, u shpreh ajo.
Vanesa pranoi gjithashtu se ka qenë plotësisht e përfshirë emocionalisht në këtë histori dhe nuk e ka problem ta pranojë publikisht.
“Po, isha e dhënë. Nuk e kam fare kompleks ta pranoj këtë!”
Duke folur për momentin kur u vu në dijeni për letrën e Indrit, ajo tregoi se nuk ishte surprizuar, pasi kishte dijeni për përmbajtjen e saj.
“Unë e dija përmbajtjen e letrës, ndaj nuk më erdhi si shok. Nuk më pëlqeu normalisht. Ishin gjëra të thëna në atë letër që nuk e di sa prej tyre ishin me vend.”
Në intervistë, Vanesa ndau edhe disa pakënaqësi, ose siç thotë ajo “hije dyshimi”, lidhur me mënyrën si ishte menaxhuar situata nga produksioni, për mënyrën si po organizoheshin gjërat.
“Ajo që kam thënë në statusin tim, unë e kam thënë përciptas, por po e sqaroj. Unë jam thirrur ditën e enjte për të qenë pjesë e programit ditën e premte, por jo për Indrin. Jam thirrur për të pasur një ballafaqim me dy vajza, por unë e kam refuzuar;
Më vonë më është thënë për ekzistencën e letrës. E marr vesh ekzistencën e letrës ditën e premte. Nuk kam shkuar ditën e premte, normalisht, sepse s’kisha arsye pse, nuk e ndieja;
Ditën e hënë vendosa të mos shkoja, sepse disa hije të mia të dyshimit u vërtetuan.
E para, e gjithë situata, të shkruarit e një letre në një mënyrë të nxituar, mënyra si po organizohej… Fillimisht mu tha t’i bëja një surprizë Indrit ditën e premte, të kisha ballafaqimin me vajzat dhe një surprizë për Indrin.
Unë, si Vanesa, e kam ndier si një lloj gjëje jo të sinqertë; Nuk doja të gjendesha para një situate që dukej si kurth, të gjendesha e papërgatitur.”
Në fund, ajo la të kuptohej se mënyra si i sheh gjërat tani ka ndryshuar ndjeshëm pas daljes nga formati.
“Kam parë një Indri atje brenda me mua dhe shoh një tjetër person tani që kam dalë jashtë.”
