Një përshkallëzim i rëndë ushtarak mes Iranit dhe Izraelit ka futur Lindjen e Mesme në një nga momentet më të tensionuara të dekadës së fundit, ndërsa në rrjetet sociale po qarkullon një video që tregon momentin kur sistemi i njohur mbrojtës ajror izraelit, Iron Dome, dështon të ndalojë një valë të fuqishme raketash të lëshuara nga Irani, duke lejuar që disa prej tyre të godasin drejtpërdrejt zonat urbane të Tel Avivit.
Tensionet u ndezën pasi Izraeli ndërmori një operacion të koordinuar ajror të quajtur “Operation Rising Lion”, ku në shënjestër ishin disa objekte strategjike ushtarake dhe bërthamore në territorin iranian, përfshirë qendrën bërthamore në Natanz dhe strukturat e komandës ushtarake.
Si rezultat, dhjetëra zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë komandantë të Gardës Revolucionare, mbetën të vrarë ose të plagosur.
Në përgjigje, Irani nisi një seri sulmesh raketore direkte mbi territorin izraelit në orët e para të mëngjesit të së premtes. Mes objektivave të goditura ishin edhe selia e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në Tel Aviv dhe infrastrukturë ushtarake e ndjeshme.
Në një video të publikuar fillimisht në rrjetin “X” (ish-Twitter) dhe më pas të verifikuar nga mediat ndërkombëtare, shihet momenti kur sistemi Iron Dome, përgjegjës për interceptimin e raketave në fluturim, lëshon breshëri interceptorësh, por pa sukses të plotë.
Pamjet tregojnë se një numër i madh raketash iraniane arrijnë të depërtojnë përmes kupolës mbrojtëse, duke shpërthyer mbi pjesë të ndryshme të Tel Avivit.
Nga të dhënat paraprake, më shumë se dhjetë shpërthime janë regjistruar brenda qytetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe të paktën 3 viktima të konfirmuara, ndërsa mbi 30 të tjerë janë plagosur.