Një moment i pazakontë është regjistruar në Britaninë e Madhe, ku një i dënuar u arrestua menjëherë sapo doli nga burgu, pasi hetimet kishin zbuluar se ai kishte vazhduar aktivitetin kriminal edhe gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.
Samuel Watts, 34 vjeç, sapo ishte liruar nga burgu HMP Kirkham, ku kishte vuajtur një dënim trevjeçar për trafik droge. Por vetëm pak sekonda pasi kaloi portën e lirimit, ai u ndalua nga policia dhe u arrestua sërish.
Sipas autoriteteve britanike, Watts kishte arritur të fuste fshehurazi një telefon në burg, me të cilin kishte organizuar dhe drejtuar rrjetin e shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit nga qelia e tij.
Arrestimi i tij u krye në bazë të një hetimi të zhvilluar nga Njësia Proaktive e Policisë në Northwich, që zbuluan një seri mesazhesh të ndërlidhura me aktivitetin e paligjshëm.
Në momentin e ndalimit, i regjistruar edhe me kamera trupore, Watts shfaqet i tronditur, duke u ankuar: “Nuk dini çfarë kam kaluar…”, por policët e vendosin në pranga pa hezitim.
Ai tashmë është dënuar me katër vjet e katër muaj burg për përfshirje në shpërndarjen e substancave narkotike të klasit A.
“Watts e konsideroi dënimin si një bezdi, jo si ndëshkim,” – u shpreh Polici Dan Lee. “Por ne ishim aty kur ai doli nga burgu, dhe nëse tenton sërish, do të jemi aty përsëri.”