Reagon detektivja shqiptare që zbulon tradhtitë e çifteve pasi tentuan t’i rrëmbenin vajzën 6-vjeçare

Një ngjarje shqetësuese u regjistrua ditën e djeshme në zonën e Astirit, në Tiranë, ku një vajzë vetëm 6 vjeçe, e bija e detektives së njohur private Shkënda Lili, i ka shpëtuar një tentative rrëmbimi, falë ndërhyrjes së menjëhershme të banorëve të zonës.

Episodi ndodhi në afërsi të kompleksit të banimit ku jeton familja Lili dhe ka tronditur komunitetin lokal. Sipas burimeve nga vendngjarja, një grua rreth të 55-ave, me pamje të rregullt, e veshur me syze dhe me sjellje të dyshimta, ishte parë disa herë ditët e fundit duke qëndruar në hyrje të pallatit dhe duke vëzhguar nga afër të miturën.

Ditën e djeshme, ajo iu afrua vajzës në një moment kur ndodhej vetëm pranë hyrjes së ndërtesës. Fillimisht, sipas dëshmive, ka tentuar ta joshë me çokollata dhe karamele, dhe më pas ka tërhequr vajzën me forcë, në një përpjekje të qartë për rrëmbim.

Ndërhyrja e menjëhershme e disa fqinjëve, të cilët ndodheshin në një lokal përballë dhe vunë re situatën, bëri që tentativa të dështonte. Gruaja e dyshuar u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht është ende në kërkim nga autoritetet.

Pas përhapjes së lajmit, vetë Shkënda Lili ka reaguar për herë të parë për mediat. Në një prononcim për IconStyle, ajo konfirmoi se ngjarja është e vërtetë, ndonëse sqaroi se jo të gjitha detajet e publikuara janë të sakta. Ajo shtoi se situata është tashmë nën kontroll dhe premtoi se në ditët në vijim do të sqarojë të gjitha rrethanat e incidentit.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa ngjarja ka ngritur shqetësim serioz për sigurinë e fëmijëve në hapësirat publike dhe pranë banesave, veçanërisht në rrethana të dyshimta që lidhen me profesione me risk të lartë si ai i hetuesve privatë.