Një fluturim i linjës Ryanair nga Berlini drejt Milanos është përfshirë nga momente frike dhe kaosi, pasi avioni është goditur nga turbulenca të fuqishme mbi Gjermaninë Jugore, duke shkaktuar plagosjen e nëntë personave dhe detyruar ulje emergjente në Memmingen.
Sipas dëshmive të pasagjerëve për mediat gjermane, përfshirë gazetën BILD, disa udhëtarë janë hedhur nga sediljet dhe kanë përfunduar duke u përplasur me tavanin e kabinës. Në bord ndodhej edhe një nënë me foshnjën, që në atë moment ndodheshin në tualet.
Një pasagjer i tmerruar tregoi: “Nuk kam pasur kurrë frikë nga fluturimi, por në atë moment mendova se avioni do të çahej në ajër ose do të rrotullohej.”
Mediat raportojnë se disa pasagjerë kanë akuzuar stafin për mungesë paralajmërimi në lidhje me vendosjen e rripave të sigurimit para goditjes nga moti i keq.
Në pamje të publikuara nga vendngjarja, avioni shihet në pistën e aeroportit të Memmingen-it, i rrethuar nga automjete të ndihmës së shpejtë dhe emergjencës.
Kapiteni i avionit ka kërkuar ndihmë mjekësore para uljes, dhe ekipet emergjente kanë pritur pasagjerët në pistë. Udhëtarët, të traumatizuar dhe të irrituar, janë mbajtur në avion për disa orë pas uljes, duke shtuar edhe më shumë tensionin pas ngjarjes dramatike.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Ryanair për incidentin, ndërsa autoritetet gjermane po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën e menaxhimit të situatës në bord.