Flori Mumajesi, një ndër emrat më të dashur të muzikës shqiptare, ka qëndruar për një kohë të gjatë larg vëmendjes publike dhe skenës muzikore. Prej muajsh ai është zhdukur nga rrjetet sociale dhe kontaktet me publikun kanë qenë thuajse inekzistente.
Shpesh është përfolur se kantautori po kalonte një periudhë të vështirë emocionale dhe shëndetësore, ndaj ka zgjedhur të distancohet nga jeta publike dhe të jetojë në qetësi në Kosovë.
Megjithatë, duket se kjo periudhë izolimi po merr fund. Së fundmi, Klajdi Haruni ka publikuar një video në Instagram, ku shfaqet një moment nga studio muzikore me praninë e Florit, Klajdit, Kejsi Tolës dhe Brunos.
Në këtë video dëgjohet edhe zëri i Florit, duke treguar një atmosferë miqësore dhe kreative mes artistëve, ku duket qartë se Flori është rikthyer në elementin e tij – muzikën.
Kjo video ka shuar edhe thashethemet për një përçarje mes Florit dhe Brunos, duke konfirmuar se marrëdhënia e tyre është rikuperuar dhe ata po bashkëpunojnë sërish. Burime pranë këngëtarit bëjnë me dije se ai është duke punuar në disa projekte të reja muzikore, të cilat do të jenë të dedikuara për artistë të tjerë.
Rreth një vit më parë u përfol për një koncert recital të Florit, ku thuhej se materialet ishin gati, por vetë artisti nuk ishte ende i gatshëm të rikthehej në skenë. Tani, me rikthimin e tij në Tiranë dhe praninë në studio, ka shpresë se ai po përgatitet për një rikthim më të madh.
Në rrjetin e tij social Instagram, fansat kanë vënë re një ndryshim interesant: një foto profili me sfond të bardhë dhe një shënim që shkruan “Pak Flor”. Ky detaj ka ngjallur spekulime se mund të jetë titulli i një albumi të ri apo një paralajmërim për rikthimin e tij artistik.
Deri tani, nuk ka një konfirmim zyrtar, por çdo lëvizje e vogël nga Flori është pritur me entuziazëm nga ndjekësit e tij besnikë.
Edhe pse ende nuk ka një datë konkrete për koncertin recital apo projekte të reja personale, duket qartë se kantautori është rikthyer në krijimtari dhe ndoshta shumë shpejt do ta shohim sërish në skenë. Pas një kohe të gjatë në heshtje, rikthimi i Florit po ndodh në mënyrë të ngadaltë, por premtuese.