Interneti ka një mbret të ri — dhe nuk bëhet fjalë për një figurë mbretërore njerëzore. Bëhet fjalë për një qen të vogël, por me një autoritet që do t’ia kishin zili edhe liderët më të mëdhenj: King Charles.
I strehuar fillimisht në një qendër qensh në Kinë, Charles fitoi famë ndërkombëtare pas publikimit të disa videove që e tregojnë teksa “qeveris” qetësisht mbretërinë e tij — një grup qensh të shpëtuar që bashkëjetojnë në një hapësirë të përbashkët.
Çfarë e bën të veçantë?
Në çdo përplasje mes qenve, King Charles hynte i qetë, analizonte situatën dhe vendoste rregull — shpesh me lëvizjen e tij karakteristike: kalimin fizik mbi trupin e “keqbërësit”.
Pamjet e tij duke “e ecur” me përçmim mbi trupin e një qeni dy herë më të madh se vetja kanë pushtuar rrjetet sociale, duke frymëzuar me miliona ndjekës në TikTok që krijojnë video me tituj si “Top 5 momentet kur King Charles dominoi”.
Edhe “Dylan Page”, një nga llogaritë më të famshme të lajmeve në TikTok, i kushtoi një video King Charles.
Pse e duan kaq shumë?
Nuk është vetëm për shkak të dominancës fizike. King Charles ka fituar respektin e mbretërisë së tij jo me frikë, por me drejtësi. Ai e përdor forcën vetëm kur është e nevojshme dhe di të krijojë rend dhe qetësi.
Por drama nuk mungon as në mbretërinë e kafshëve…
Së fundmi, një “personazh” i ri u shtua në strehe — një qen tjetër i quajtur Tyrant. Ai jo vetëm që refuzoi t’i përkulet Charles-it, por e sulmoi. Dhe për herë të parë, King Charles u tërhoq.
Megjithatë, mbretëria nuk e pranoi Tyrant-in si sundimtar, duke treguar se Charles nuk sundon thjesht përmes frikës, por përmes një lidhjeje të thellë me “popullin” e tij.
Pas përplasjes, Tyrant u izolua për “tradhti”, ndërsa King Charles mbeti i padiskutueshëm në fron.
Me qindra miliona shikime në TikTok dhe një rrëfim që duket si serial më vete, historia e King Charles po shndërrohet në një legjendë të kohëve moderne.