Dhëndri i Donald Trump dhe ish-këshilltari i lartë në Shtëpinë e Bardhë, Jared Kushner, ka folur me superlativa për Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa ka zbuluar më shumë detaje mbi projektin madhor turistik që planifikon të ndërtojë në ishullin e Sazanit dhe zonën përreth.
Në një intervistë, Kushner u shpreh se vendimi për të investuar në Shqipëri nuk ka qenë rastësor, por rezultat i një procesi të gjatë vlerësimi dhe besimi tek drejtimi që i jep vendit kryeministri Rama.
“Takova Ramën për herë të parë në vitin 2021 dhe u impresionova menjëherë nga vizioni i tij. Është një lider i jashtëzakonshëm. Më pas vendosa të vizitoj Shqipërinë dhe mbeta i mahnitur nga bukuria e saj natyrore,” u shpreh Kushner.
Ai konfirmoi se kompania e tij, “Affinity Partners”, do të investojë rreth 1.4 miliardë dollarë në një resort luksoz në ishullin e Sazanit dhe gadishullin e Karaburunit, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Sipas tij, ky është një nga projektet më të mëdha turistike në Ballkan dhe ka për qëllim ta shndërrojë zonën në një destinacion elitë të Mesdheut, pa dëmtuar mjedisin.
“Do të ndërtojmë një resort shumë luksoz, në përputhje me natyrën. Jemi shumë të kujdesshëm për të ruajtur peizazhin. Do të ndërtojmë pak, por me standardet më të larta. Ky është ndoshta vendi më i bukur në të gjithë Mesdheun,” tha ai.
Projekti, që përfshin gjithashtu ndërtimin e një marine për jahtet dhe infrastrukturë të qëndrueshme për turizëm të nivelit të lartë, është parë me interes të madh edhe nga aktorë ndërkombëtarë të biznesit dhe turizmit.
Në intervistën e tij, Kushner nuk ngurroi të lavdërojë drejtimin e Ramës, duke theksuar se “Shqipëria është një vend me potencial të jashtëzakonshëm dhe me një udhëheqës që di të bëjë gjërat të ndodhin”.
Ai përmendi edhe projektet infrastrukturore që po zhvillohen në vend, përfshirë aeroportin e Vlorës, duke theksuar se të gjitha këto i japin Shqipërisë potencialin për t’u bërë një destinacion kryesor turistik në rajon.