Pas daljes nga shtëpia e “Big Brother VIP”, regjisori Aldo Marku ishte i ftuar në emisionin “Big Brother Radio” me Elona Duron, ku për herë të parë foli hapur për ndarjen nga ish-bashkëshortja e tij.
Një rrëfim i ndjerë dhe i sinqertë, që tregoi anën personale të regjisorit, përtej dinamikave të spektaklit.
Aldo tregoi se ndarja nuk erdhi si pasojë e një konflikti të madh, por më shumë si një reflektim i pjekur për të shmangur dëmet emocionale që një marrëdhënie e lodhur mund të shkaktonte, sidomos për vajzën e tyre:
“Kur ishim bashkë, si çdo çift, erdhi një moment që nuk gjenim më gjuhën e përbashkët. Filloi të bëhej një lloj lajtmotivi. Kuptuam që ndoshta ishte më mirë të mos shkonim në një pikë ku do të bëheshim imazh i keq për vajzën tonë ose dëm për njëri-tjetrin.”
Ai shtoi se marrëdhënia e tyre ka mbetur e shëndetshme dhe e mbushur me respekt të ndërsjellë, gjë që është reflektuar edhe në mënyrën se si e kanë përkrahur njëri-tjetrin publikisht:
“E falenderoj shumë, më bëhet qejfi që ka folur me superlativa për mua. Të njëjtën gjë do të bëja edhe unë, sepse kështu mendojmë për njëri-tjetrin.”
Vendimi i pakthyeshëm? Aldo flet qartë
I pyetur nga Elona nëse ndarja ishte përfundimtare, Aldo u përgjigj:
“Po, deri tani është një vendim i pakthyeshëm. Shkojmë shumë mirë dhe prandaj duket sikur është një lojë. Por nuk është. Kemi zgjedhur rrugën që funksionon më mirë për të gjithë, veçanërisht për vajzën.”
Ai shtoi se një marrëdhënie pas ndarjes mund të shkojë në dy drejtime – ose të mbushesh me inat dhe distancë, ose të ruash mirësinë dhe respektin për hir të kujtimeve dhe fëmijës që keni bashkë. Aldo ka zgjedhur të dytën.
Duke folur për vajzën e tyre, Akira, Aldo tha se ajo është ende shumë e vogël për të kuptuar ndarjen, por prania e vazhdueshme e të dy prindërve e ndihmon të mos ndjejë asnjë boshllëk emocional:
“Jo, është e vogël. Ne rrimë bashkë mjaftueshëm që ajo të ndjejë prezencën e të dyve.”