“Përputhen” ka nisur sot sezonin e ri dhe që në hapjen e spektaklit, moderatorja Heidi Baci ka bërë të qartë se këtë vit konkurrentët do të përballen me një sërë rregullash strikte gjatë qëndrimit në program.
Heidi ndërpreu për pak çaste rrjedhën e spektaklit për të bërë atë që e cilësoi si një “njoftim zyrtar”, drejtuar publikut, por mbi të gjitha kastit të ri të “Përputhen”.
“Është momenti të bëj një njoftim dhe është momenti për të qenë pak serioz, sepse është një njoftim zyrtar. Me ndihmën e regjisë, në emër të ‘Përputhen’, ky njoftim është për ju në studio, shikuesit, por kryesisht për kastin. Uroj të jenë të vëmendshëm”, tha moderatorja.
Duke kujtuar se programi transmetohet pesë ditë në javë, Heidi bëri të ditur se këtë sezon janë vendosur disa kufij të qartë për sjelljen e konkurrentëve në studio.
“Pikërisht për shkak të përgjegjësisë që mbart ky program ndaj publikut, këtë sezon vendosen rregulla të qarta dhe të panegociueshme”, deklaroi ajo.
Sipas njoftimit, nuk do të tolerohet përdorimi i gjuhës së papërshtatshme televizive, fyese apo degraduese.
Po ashtu, ndalohet kategorikisht dhuna në çdo formë dhe çdo veprim që mund të konsiderohet promovim i saj.
Rregullat prekin edhe përmbajtjen që transmetohet gjatë fashës orare të programit, duke ndaluar skena që konsiderohen të papërshtatshme për orarin në të cilin “Përputhen” shfaqet në ekran.
Një pikë e veçantë e njoftimit lidhej drejtpërdrejt me rolin e Heidi Bacit në studio. Konkurrentëve dhe opinionistëve iu kërkua të respektojnë ndërhyrjet, udhëzimet dhe vendimet e moderatores gjatë transmetimit.
“Fjala e moderatores së spektaklit respektohet nga të gjithë. Konkurrentët dhe opinionistët janë të detyruar të respektojnë ndërhyrjet, udhëzimet dhe vendimet e moderatores gjatë transmetimit. Nuk negociohet autoriteti i moderatores në studio”, thuhej në njoftimin e lexuar prej saj.
Kështu, sezoni i ri i “Përputhen” ka nisur me një mesazh të drejtpërdrejtë për kastin, duke përcaktuar që në ditën e parë kufijtë që konkurrentët duhet të respektojnë gjatë transmetimit.
