E fundit: Policit që goditi protestuesin i ndodh ajo që s’e priste kurrë

Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku një efektiv shfaqet duke goditur me grusht një person të shoqëruar gjatë tubimit të zhvilluar sot në Rrugën e Durrësit, në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të efektivit të identifikuar me inicialet J. H.

Punonjësi i policisë mban gradën inspektor dhe është pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Krahas pezullimit, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë hetimin disiplinor ndaj efektivit. Sipas Policisë, procedura lidhet me dyshimet për “përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës” dhe për veprime që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë dhe institucionin.

Vendimi erdhi pasi pamjet e incidentit u publikuan në rrjetet sociale. Në video shihet momenti kur efektivi godet me grusht personin që ishte shoqëruar gjatë tubimit.

“Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj”, thuhet në reagimin zyrtar.

Hetimi disiplinor pritet të përcaktojë përgjegjësinë e efektivit dhe masat e mëtejshme që mund të merren ndaj tij.