Labinot Rexha është rikthyer te eksperienca e tij në “Big Brother VIP Kosova”, duke ngritur akuza të forta për mënyrën se si, sipas tij, u menaxhua gara dhe televotimi gjatë qëndrimit të tij në format.
Gjatë një interviste në “n’Vibe”, këngëtari pretendoi se në një prej televotimeve kishte marrë rreth 340 mijë vota dhe se rezultati duhej ta kishte çuar atë drejtpërdrejt në finale.
“340 mijë vota janë dhënë për mua. Atë ditë produksioni thotë: kush është më i votuar shkon finalisti i parë dhe më pak i votuari shkon në shtëpi”, deklaroi Labinoti.
Sipas versionit të tij, banorja me më pak vota në atë moment ishte Dolçe, por ajo nuk u eliminua. Rexha pretendon se në vend të largimit të saj u hap një tjetër televotim, duke ndryshuar rrjedhën që ai priste të kishte gara.
“Më pak kishte Dolçe, por atë nuk e nxorën, por e qitën një televotim tjetër”, tha ai.
Labinoti iu referua gjithashtu edhe Lim Hotit, duke pretenduar se ky i fundit kishte informacion se produksioni kishte kërkuar largimin e tij me “zarf të zi”.
