E fundit: Top-Channel dënon ashpër Arjan Konomin pas përplasjes me kryeministrin Rama

Arjan Konomi ka reaguar publikisht mbrëmjen e kësaj të mërkure, duke deklaruar se është pezulluar nga Top Channel pas debatit që pati me kryeministrin Edi Rama në Vuno.

Përmes një postimi në Instagram, opinionisti i njohur ka treguar versionin e tij të ngjarjes, duke thënë se prej 15 gushtit priste të firmoste kontratën me televizionin, ndërsa situata ndryshoi pikërisht në ditën kur ishte njoftuar për xhirimin e reklamës së emisionit “Për’puthen”.

“Ka që pas 15 gushtit që nga zyrat e Topit më marrin për të firmosur kontratën. Dhe ditën që më lajmëruan për t’u paraqitur për xhirimin e reklamës së emisionit ‘Për’puthen’, një orë më pas më lajmërojnë që jam pezulluar”, shkruan Konomi.

Sipas tij, më pas xhirimi është shtyrë për një ditë tjetër, ndërsa nuk ka pasur më komunikim lidhur me rikthimin e tij në ekran.

Konomi pretendon gjithashtu se i është kërkuar të mos reagojë në rrjetet sociale për çështje politike dhe të mos marrë pjesë në protesta, me argumentin se është një imazh i televizionit.

“Mu kërkua që të mbyllja gojën në rrjete sociale, që mos të shprehja qëndrime politike apo të merrja pjesë në protesta pasi jam imazh i televizionit. Natyrisht nuk e pranova”, shkruan ai.

Opinionisti argumenton se emisioni ku ai merr pjesë nuk është një format politik dhe se qëndrimet e tij personale nuk duhet të ndikojnë në angazhimin profesional.

Në fund të reagimit, Konomi e ka lidhur situatën me lirinë e fjalës dhe të medias, duke ironizuar qëndrimin e televizionit.

“Për lirinë e fjalës dhe të mendimit, për lirinë e medias dhe lirinë e shtypit një bravo të madhe Top Channel-it”, përfundon ai.

Deri në këto momente, Top Channel nuk ka bërë publik një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e Arjan Konomit.