Rrëfimi i Eni Çobanit në “Grida Duma Podcast” për një çift shumë të njohur shqiptar ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet. Mes tyre është edhe Rogert Sterkaj, i cili ka kritikuar publikisht mënyrën se si është bërë rrëfimi pa zbuluar identitetin e personave të përfshirë.
“Thuajini emrat!!! Aludime me zero fakte. Pa emra, kjo është thjesht publicitet i shpifur për veten dhe atë ‘gazetaren e akullores’. Kush janë ata?”, shkroi Sterkaj në postimin e tij, ku shfaqen Grida Duma dhe Eni Çobani.

Ai e shoqëroi postimin edhe me një tjetër koment: “Grida Duma & Eni Çobani kanë 2 gjëra të përbashkëta…”, pa e përfunduar mendimin, duke e lënë atë të hapur për interpretim.
Reagimi vjen pas deklaratave të Çobanit, e cila tregoi se kishte ndërmjetësuar në një konflikt brenda një familjeje shumë të pasur shqiptare. Sipas saj, bëhej fjalë për një çift me emra shumë të njohur për publikun, të cilët nga jashtë shfaqeshin të afërt, ndërsa në jetën private përballeshin me probleme të forta në martesë.
Juristja pretendoi se në martesë kishte pasur marrëdhënie jashtëmartesore nga të dyja palët dhe se situata kishte arritur deri në ardhjen në jetë të një fëmije, atësia e të cilit nuk ishte e bashkëshortit. Pavarësisht kësaj, sipas Çobanit, dy personat nuk janë divorcuar, edhe pse nuk jetojnë më fizikisht së bashku.
Eni Çobani nuk dha asnjë emër apo detaj që do të mundësonte identifikimin me siguri të çiftit. Pikërisht kjo ka nxitur reagimin e Sterkajt, por edhe kureshtjen e publikut për personat të cilëve iu referohej juristja.
Deri në një deklaratë nga vetë personat e përfshirë, çdo emër që mund të qarkullojë në rrjet si çifti i përmendur nga Çobani mbetet vetëm spekulim.
