Zhduket reperi Cllevio

Cllevio ka njoftuar se ka marrë vendimin të tërhiqet nga rrjetet sociale dhe të distancohet nga jeta publike.

Përmes një postimi në Instagram, reperi ka bërë të ditur se do të zhvillojë edhe një transmetim të fundit “live”, ku do të flasë për zhvillimet e fundit në jetën e tij.

“Sot është live-i i fundit. Ora 10 do përmbledh çdo gjë të këtyre kohëve të fundit dhe nuk do kem më asnjë rrjet social”, shkruan Cllevio.

Në të njëjtin mesazh, ai thotë se dëshiron të largohet, të ndryshojë numrin e telefonit dhe të shkëputet edhe nga rrethi i tij shoqëror.

“Do arratisem pa adresë, do ndërroj numër dhe nuk dua asnjë më në shoqërinë time. Dua të distancohem nga të gjithë, se ndoshta jam unë e keqja”, vijon reperi.

Cllevio falënderon gjithashtu njerëzit që e kanë mbështetur, duke thënë se do të përpiqet t’ua kthejë me kalimin e kohës. Në fund ai thekson se bëhet fjalë për “një vendim të marrë nga vetë Klevioli”.

Njoftimi vjen pak ditë pas raportimeve për ndalimin e tij në aeroportin e Malpensës në Itali. Megjithatë, në postimin e fundit Cllevio nuk e lidh drejtpërdrejt vendimin për t’u larguar nga rrjetet sociale me këtë episod.

Mbetet për t’u parë nëse reperi do ta zbatojë vendimin për të mbyllur llogaritë e tij dhe çfarë do të sqarojë gjatë transmetimit që ka paralajmëruar si “live-in e fundit”.