Ndryshon kasti i “Portokalli”/ Ja kush do ta shoqërojë Agron Llakajn në drejtimin e emisionit të humorit

“Portokalli” po përgatitet për një sezon me ndryshime të rëndësishme. Pas konfirmimit të rikthimit të Agron Llakajt në Top Channel pas 16 vitesh, tashmë kanë nisur të qarkullojnë edhe detajet për personin që pritet ta shoqërojë në moderimin e spektaklit.

Sipas burimeve, krah Agron Llakajt pritet të jetë Kiara Tito. Edhe këtë sezon, ish-banoren e Big Brother VIP Albania 2 do ta shohim sërish në “Portokalli”.

Rikthimi i Agron Llakajt tashmë është bërë zyrtar. Përveç rolit si moderator, ai do të jetë sërish aktiv edhe në skenë si aktor, duke u rikthyer në programin me të cilin ka qenë i lidhur për një periudhë të gjatë të karrierës së tij.

Sezoni i ri pritet të sjellë ndryshime edhe në kast. Nga 2 deri më 16 shtator do të zhvillohen audicione për aktorë, imitues dhe autorë të rinj, ndërsa premiera live për publikun është parashikuar më 2 tetor dhe transmetimi televiziv më 4 tetor.